(Translated by https://www.hiragana.jp/)
Agim Ramadani - Wikipedia Jump to content

Agim Ramadani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Versioni i datës 14 prill 2024 16:37 nga 37.26.97.94 (diskuto)
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)

Agim Ramadani (3 Maj 196311 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën "KATANA", ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe komandant i Zonës së Koshares. Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në fshatin Koshare të Komunës së Gjakovës gjatë një luftimi ballë për ballë me forcat serbe. Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, ai zhvilloi operacione të suksesshme ushtarake kundër forcave serbe përreth kufirit Kosovë–Shqipëri dhe ai gjithashtu mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies heroike të tij. Pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Agim Ramadani
"Mu shterrshin syt nëse pushoj Lirin tënde me ëndërrue, mallkue qoftë gjaku im nëse më vrasin pa luftue"
Pseudonimi/et"KATANA"
Lindur më3 Maj 1963
Zhegër, Komuna e Gjilanit, Kosovë
Vdekur më11 Prill 1999
Koshare, Komuna e Gjakovës, Kosovë
Në aleancë me
Vite shërbimi1998 – 1999
GradaKomandant Brigade
NjësiaBrigada 138
Në komandëZona Operative e Dukagjinit, (Koshare, rajoni i Gjakovës, Kosovë)
Betejat/luftratLufta e Kosovës
ÇmimetUrdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Të parët e Familjes së tij ishin me prejardhje nga Malësia e Karadakut, pikërisht nga fshati Depcë afër Preshevës. Shkollimin Fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Gjilan në vitin 1980, dhe më pas e vazhdoi Akademinë Ushtarake–Drejtimi i Komunikacionit në ZagrebKroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak dhe në Zvicër ku jetoi si emigrant politik dhe me fillimin e luftës në Kroaci, ai e braktisi ish–Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke i lënë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët e tij.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur "Zharret", ai ra dëshmorë heroikisht për të mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ "KATANA". Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit–KATANËS. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.

Shtatorja e Agim Ramadanit

Me shpërthimin e Luftës së Kosovës, Agim Ramadani iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku menjëherë u bë komandant në Zonën Operative të Dukagjinit.

Operacionet në Gjocaj dhe Jasiq

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

28 Korrik 1998, Agim Ramadani erdhi për të përforcuar mbrojtjen e fshatrave Gjocaj dhe Jasiq. Trupat e Ushtrisë Jugosllave sulmuan fshatrat nga Baza Ushtarake e Koshares për të marrë dy pikat strategjike, por sulmi jugosllav dështoi, duke rezultuar në 8 ushtarë serbë të vrarë si dhe një major serb të Ushtrisë Jugosllave, ndërsa UÇK-ja nën komandën e Agim Ramadanit pësoi tre viktima.

Beteja e Opijazit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Aksioni i tij i parë ushtarak ndodhi më 9 Gusht 1998 në fshatin Opijaz ku mposhti me sukses forcat serbo–jugosllave duke vrarë 17 ushtarë serbë si dhe 2 oficerë serbë të Ushtrisë Jugosllave.

Operacioni Shqiponja

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

15 Gusht 1998, Agim Ramadani nisi "Operacionin Shqiponja", i cili përfshinte sulmin e stacionit policor të Zhilloviçit me vetëm 8 ushtarë të UÇK-së kundër një batalioni të madh të Ushtrisë Jugosllave. Sulmi ishte i planifikuar mirë dhe u ekzekutua me sukses, duke rezultuar në numrin më të madh të vdekjeve të ushtrisë jugosllave gjatë Luftës së Kosovës. Ndërkaq, UÇK-ja nuk ka pasur viktima.

Operacioni afër Gjeravicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Operacioni i tij i radhës kundër forcave serbo–jugosllave ndodhi në një postë ushtarake jugosllave dhe në një Kullë Roje pranë malit të Gjeravicës më 15 Shtator 1998. Përsëri forcat serbo–jugosllave pësuan një disfatë të rëndë, me një nga numri më i madh i vdekjeve gjatë luftës në atë kohë. Sulmi i Agim Ramadanit la të vdekur 40 ushtarë serbë dhe 20 të plagosur.

Operacioni Feniks

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në operacionin e tij të ardhshëm të koduar si "Operacioni Feniks" më 30 Shtator 1998, Agim Ramadani sulmoi pozicionet e Ushtrisë Jugosllave pranë Bazës Ushtarake Serbe në Koshare. Përsëri operacioni përfundoi me fitoren e brigadës së Agim Ramadanit, duke vrarë 6 ushtarë serbë, duke plagosur 8 të tjerë, si dhe e shkatërruan 1 tank dhe 1 autoblind.

Beteja e Koshares

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

9 Prill 1999 Agim Ramadani, së bashku me 136 ushtarë nën komandën e tij, kaloi kufirin Shqipëri–Kosovë afër Koshares dhe sulmoi Forcat Jugosllave që ishin rreth 300 ushtarë, duke filluar Betejën më të përgjakshme në tërë Luftën e Kosovës. Luftimet e ditës së parë zgjatën 24 orë dhe përfunduan me fitoren e forcave të Agim Ramadanit, duke i detyruar ushtarët serbë të tërhiqen nga baza ushtarake e Koshares. Luftimet e ashpra lanë të vdekur 4 ushtarë të UÇK-së dhe 23 ushtarë serbë.

Tituj të veprave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Një jetë tjetër - Prishtinë 2002 (pas vdekjës)

Shiko edhe këtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Wiki Libri: Copëza historie nga lufta e Kosovës

[1]