(Translated by https://www.hiragana.jp/)
Aristotel Onasis - Wikipedia Jump to content

Aristotel Onasis

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Historia e emigrantit të varfër, që pati lindur me këmishë dhe me ambicie të mëdha për të arritur te suksesi rreth 3 miliardë USD është pasuria e miliarderit, që falë "agresivitetit" u rendit në sferat e larta të ekonomisë Aristotel Onasis vlerësohet si një njeri i lindur me këmishë dhe me ambicie të mëdha për të arritur te suksesi. Bir i një familjeje të varfër, Onasis arriti të ndërtonte një perandori ekonomike madhështore, të bazuar në aktivitete tregtare.

Aristotel Onasis lindur në Smirnë, ne 7 korrik te 1906, emigroi në Argjentinë, më 1923, ku arriti të mbledhë një pasuri marramendëse. Më vitin 1928, në moshën 22-vjeçare bëhet konsulli i përgjithshëm i Greqisë dhe në vitin 1932, kur ekonomia e botës ishte tronditur, arrin të blejë me çmim të ulët anije, të cilat i shndërron në një flotë detare me potencial të fuqishëm ekonomik. Në vitin 1957 themelon linjën ajrore "Olimpik Airlines" dhe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të botës. I martuar me Tina Livanosin, babai i dy fëmijëve, Aleksandrit dhe Kristinës, Onasis, falë guximit dhe ambicieve të tij arriti të ishte një nga simbolet e ekonomisë botërore. Në fakt, jeta e tij ka qenë shumë e trazuar, si në biznes, ashtu edhe në çështjet personale. Ai në vitin 1951 u divorcua nga bashkëshortja e tij, për t'u martuar me divën e muzikës klasike, Maria Kalas. Onasis bashkëjetoi për nëntë vjet me Kalasin, me të cilën lindi një fëmijë, i cili vdiq disa muaj pas lindjes.

Në vitin 1968, Onasis i çuditi të gjithë me lidhjen e tij më të re të dashurisë, kur u martua me vejushën e presidentit amerikan Xhorxh Kenedi. Me Zhaklinën ai kaloi një nga periudhat më të bukura të jetës së tij. Zhaklina u konsiderua si femra më me fat në botë, teksa shpenzimet e Onasisit për i afroheshin supershifrës prej 20 milionë dollarësh. Por Onasis pësoi edhe një goditje të rëndë në jetë, kur humbi djalin e tij të vetëm, Aleksandrin, pas një aksidenti ajror. Që nga humbja djalit të tij, Aristoteli e humbi të gjithë entuziazmin dhe gëzimin e jetës. Ai vdiq më 15 mars 1975Francë pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri. Trashëgimtarja e vetme e pasurisë është mbesa e tij Athinaja, i cili ka përfituar testamentin e gjyshit të saj, që kap shifrën e rreth tre miliardë dollarëve.

Aventura argjentinase

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjyshja e tij, Getsemani, gjithmonë i thoshte një fjalë të urtë, që kurrë nuk duhej ta harronte: "Njeriu duhet ta ndërtojë vetë fatin e tij" Pas lirimit të të atit, Onasis pa se vendi i tij nuk i ofronte ndonjë perspektivë të madhe për të ardhmen e tij. Me 250 dollarë në xhep dhe një leje të vlefshme për kolonitë e reja, Aristoteli u nis për në Argjentinë. Ai e nisi jetën e tij me një biletë të klasit të tretë midis mijëra emigranëtëve në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Por Onasis ishte shumë herë më ndryshe nga bashkudhëtarët e tij, nga njerëzit e dëshpëruar, të cilët kishin humbur të ardhmen në vendin e tyre. Diferenca kryesore midis tij dhe atyre ishte dëshira për të fituar, qëllimi i tij dhe vendosmëria e pafund.

Pasi kishte punuar për disa kohë si pjatalarës, ai gjeti punë si operator telefoni me ndihmën e disa bashkatdhetarëve të tij. Puna i dha stabilitet ekonomik si dhe njohuri mjaft të nevojshme për rrugën e biznesit. Pasi bleu një garderobë të re, ai nisi të frekuentonte klubet e natës, të cilat ishin të një mode të re. Në kërkim të "perfeksionimit", Onasis arriti të integrohej në shumë aspekte të jetës në Argjentinë, sidomos në fushën e kulturës. Ndërsa vazhdonte të punonte si operator telefonash, atij i lindi një tjetër ide brilante. Ai mendoi të tregtonte me shpejtësi duhanin oriental në Argjentinë dhe për këtë i shkroi të atit të tij, duke i kërkuar që ta furnizonte me duhan turk. Ai prodhonte dy lloje paketash "Osman" dhe "Primeros", dhe, për fat të mirë, mijërat e dollarëve filluan të derdheshin në xhepat e tij.

Biznesi i anijeve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ari arriti në kulmin e jetës së tij. Fitimet që ai kishte arritur me tregtinë e cigareve ishin të pamjaftueshme për të kënaqur ambiciet e tij në rrugën e biznesit. Të gjitha paratë filloi t'i investonte për blerjet e anijeve dhe arriti të ndërtonte një flotë të fuqishme detare, e cila nga dita në ditë i siguronte shuma të mëdha dollarësh, me anë të tregtisë dhe transportit që kryenin. Në Kanada ai bleu disa anije të cilat varionin në 10 tonë. "Bizneset e Arit", ato quheshin kështu nga amerikanët asokohe, shumë shpejt arritën të zhvilloheshin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore Ari nuk kishte humbur asnjë anije dhe asnjë marinar. Ai ishte mjaft krenar për këtë rezultat, madje atij iu kthyen edhe 250 mijë dollarë nga ana e qeverisë amerikane, e cila kishte mobilizuar në flotën e saj tri nga anijet e tij. Gjithashtu, tri nga naftëmbajtëset e tij, të cilat ishin sekuestruar në Skandinavi, iu kthyen sërish. Përpara fillimit të luftës ai planifikoi të ndërtonte naftëmbajtëset më të mëdha në botë, me një kapacitet më shumë se 9000 ton. Ai ia dha projektin një firme norvegjeze, e cila ndërtoi dy naftëmbajtëse, respektivisht "Aristo" dhe "Aristofaneus" me nga 15 ton secila. Por Onasis u ndëshkua shpesh herë me gjoba, për shkak të gjuetisë së paligjshme të balenave në Peru. Gjithsesi, flota e tij detare mbeti fuqiplotë dhe me anën e saj ai arriti të renditej ndër njerëzit më të pasur të botës.

Fatkeqësitë dhe vitet fundit të jetës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në realitet ekzistonte një shoqëri e vogël që sillte përfitime dhe asnjë lloj humbjeje. "Olimpik Aviation" ishte në gjendje ta bënte këtë në ishuj, duke ofruar avionë me qira dhe avionë-taksi. Shoqëria udhëhiqej nga Aleksandër Onasis, djali i parë i Onasisit të madh, të cilit Ari nuk kishte vendosur t'ia jepte komandën e shoqërisë. Për shkak të miopisë së tij, Aleksandri nuk mund të arrinte të bëhej pilot avioni, por u bë një pilot komercial dhe drejtoi avionë-taksi. Në magazinën e mjeteve të tij ishin 2 "Piaggio" që Aleksandri donte t'i zëvendësonte me 2 helikopterë, sepse i quante shumë të rrezikshëm. Piaggio përdorej gjithashtu për transportin personal të Arit, dhe njëri qëndronte gjithmonë në kuvertën e jahtit të tij "Kristina". Pas një viti këmbënguljeje, Aleksandri më në fund arriti të mbledhë aq fonde sa të zëvendësonte helikopterët.

Në fluturimin nga Akapulko në Nju-Jork me gruan e tij të tretë, Xheki Bouvier, e veja e Kenedit, ai hartoi testamentin e tij. Shkroi faqe pas faqesh me një mundim të madh nervor. Gjiganti ishte dorëzuar përballë ligjeve të natyrës. Ai ishte i sëmurë dhe u diagnostikua me një formë serioze miastenie që do t'ia merrte jetën në më pak se një vit. Shkrimi procedoi me shpejtësi dhe faqet u mblodhën po ashtu. "vajzës sime të dashur" ishin fjalët që fillonin testamentin e tij. Perandoria e tij do të ndahej në dy sektorë financiarë, alfa dhe beta. Alfa do të mbante të gjithë kapitalin e trashëguar dhe beta do të kishte ndarjet e alfës. Kristina, trashëgimtarja e tij, mori të gjithë trashëgiminë e shoqërisë së parë, kurse nënndarja e parë e betës, 52 për qind, shkoi për "Alexander Onassis Foundation." Fondacioni u krijua për të përjetësuar shpirtin e Onasisit nëpërmjet veprimtarive bamirëse, ndihmës për zhvillimin e arteve dhe të Greqisë në përgjithësi. Bija e tij, Kristina, e filloi aktivitetin e saj dhe tregoi ngjashmëri me të atin. Më 6 shkurt Onasis u shtrua në spital për të kryer një operacion. Operacioni doli me sukses, por ai ishte shumë i pafuqishëm pas tij. Ai vdiq me 15 mars 1975, në Francë pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri. Sipas amanetit të lënë, trupi i tij u dogj në ishullin e Skorpiosit.

Athina Onasis Mbesa e Aristotel Onasisit, adoleshentja miliardere

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Athina Onasis Roussel trashëgoi mantelin e njërës prej flotave më të famshme në botë, flotës detare perandorake, të themeluar nga gjyshi i saj Aristotel Onasis. Raportet e shtypit tregojnë se trashëgimia e Athinasë, u mbajt në mirëbesim deri sa mamaja e saj Kristina vdiq në 1988. Pasuria është më shumë se 3 miliardë dollarë. Ndoshta një nga asetet më me vlerë që Athinaja ka trashëguar është "Skorpios", streha e refugjatve të Onasis në Aegean. Sot ishulli është pothuajse pa asnjë banor. Ishulli mund të vlejë 200 milionë dollarë. Athina duket se është e kënaqur me pasuritë e saj. Kur të mbushi 21 vjeç, Athinaja mundi të trashëgojë vendin e drejtuesit që është i barabartë sa gjysma e pasurisë së Onasis që fondacioni trashëgoi. Ka mundësi që në këtë kohë ajo t'i bashkohet listës së miliarderëve.

  • 250 US dollarë ishte shuma, me të cilën Onasis emigroi nga Greqia në Argjentinë, ku punoi fillimisht si operator telefonash. Ai udhëtoi për në kontinentin latin me një biletë të klasit të tretë.
  • 1 milion dollarët e parë Onasis e siguroi në Argjentinë nga prodhimi dhe shitja e cigareve.
  • 7 milion dollarë ishte shuma që u detyrua të paguajë Onasis pas hetimeve të kryera nga FBI-ja. Ai rezultoi fajtor për mashtrime në dëm të qeverisë.
  • 20 milion dollarë ishte shuma që Onasis kishte shpenzuar gjatë vitit të parë të martesës, vetëm për të përmbushur tekat dhe kënaqësitë e gruas së tij të tretë, Zhaklinë Kenedi.
  • 200 milion dollarë është vlera e ishullit Skorpios, të cilin Onasis e bleu në vitin 1963 për ta pasur i vetëm.
  • 300 milion dollarë është vlera e aseteve të Onasisit në kompaninë e flotës së tij detare.
  • 3 miliardë USD është shuma e përafërt e miliarderit grek Aristotel Onasis, i cili arriti të renditej në sferat e larta të ekonomisë së bote.