(Translated by https://www.hiragana.jp/)
Tulipani shqiptar - Wikipedia Jump to content

Tulipani shqiptar

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Tulipa albanica)

Tulipani shqiptar
Klasifikimi shkencor
Mbretëria:
Pa klasifikuar:
Pa klasifikuar:
Rendi:
Familja:
Gjinia:
Lloji:
T. albanica
Emri binomial
Tulipa albanica
Kit Tan & Shuka

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit.[1][2][3] Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë. Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.[4]

Tulipa albanica është një lloj bime shumëvjeçare me qepujkë/qepore, që rritet deri në 15-40 cm. Qeporja është vezake në sferike me 1.5 - 2.5 cm në diametër. Kërcelli është i drejtë, pa fije, glaukoz me ngjyrë gri-jeshile dhe gjethet, të cilat variojnë nga 3 - 5 të tilla arrijnë një madhësi prej rreth 10–25 cm gjatësi nga 1–3.5 cm gjerësi dhe janë glaukoze e të valëzuara me ngjyrë gri-të gjelbër. Ato rriten në mënyrë alternative përgjatë kërcellit ku më të ultat i kanë skajet e izoluara fort.

Kërcelli mbart një lule të vetme të madhe, të ngritur, kampanulare. Tulipani shqiptar gjendet në dy ngjyra, të verdhë dhe të kuq.

Tulipa albanica rritet kryesisht në pjesën verilindore të Republikës së Shqipërisë, në Bashkinë Kukës, Qarku Kukës, kryesisht në Kolsh, Surroj e Mamëz. Nga vizitat në terren rezulton se Tulipa albanica gjendet kryesisht në terrene serpentinore. Popullata të vogla e të veçuara janë gjetur dhe në zonën qëlerore në Lugun e Keq, Gabrricë, Domaj, e deri në Lurë. Në 2021-2022, Instituti i Politikave Mjedisore gjeti popullata të veçuara e të vogla edhe në bregun e Drinit të Bardhë në Koritnik, në Has dhe në Gjallicë. Gjithsesi, popullatat janë tejet të vogla dhe të rrezikuara në mënyrë kritike nga veprimtaria njerëzore.

Instituti i Politikave Mjedisore në Shqipëri, ka ndërmarrë një projekt për ruajtjen dhe shumimin e tulipanit shqiptar, me synimin përhapjen e llojit dhe në zona të tjera në qarkun e Kukësit, dhe sigurimin e mbrojtjes zyrtare të zonës ku rritet tulipani.[5] Më 22 prill 2020, Bashkia Kukës shpalli habitatin e Tulipa albanica prej 72 ha si zonë të mbrojtur vendore, vendim që u ratifikua më 30 Prill 2020 nga Prefekti i Qarkut të Kukësit. Instituti i Politikave Mjedisore ka nisur procedurën për shpalljen e habitatit të tulipanit shqiptar në Surroj si Zonë e Mbrojtur nën administrimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Habitati i tulipanit shqiptar, përveç tulipanit, përmban edhe disa bimë të tjera endemike shqiptare.

  1. ^ Wheeler 2011.
  2. ^ Shuka, Tan & Siljak-Yakovlev 2010, f. 19.
  3. ^ Christenhusz etj. 2013.
  4. ^ Shuka, Tan & Siljak-Yakovlev 2010.
  5. ^ "Ruajtja dhe shumimi i tulipanit shqiptar". Instituti i Politikave Mjedisore.