(Translated by https://www.hiragana.jp/)
polar - Wiktionary Jump to content

polar

Nga Wiktionary

POLAR mb.

1. Që ka të bëjë me polet e Tokës, që u përket poleve, i polit; që është afër polit, rreth tij ose në drejtim të tij. Pika polare. Rrethi polar brezi i klimës së ftohtë rreth polit. Zonë polare. Vende polare. Ylli polar. Rreze polare gjysma e boshtit të tokës.

2. Që ndodhet në vendet a në zonat rreth poleve të Tokës, që rritet a që jeton atje; që është karakteristik për këto vende; që vjen nga këto vende. Akull polar. Ishull polar. Klimë polare. Bimësi polare. Ariu polar. Balena polare. Buf polar. Dhelpër polare. Lepur polar. Qyqe polare. Shpendët (zogjtë) polarë. Ditë polare pjesë e vitit në zonat e poleve, gjatë së cilës dielli nuk perëndon për rreth një gjysmë viti. Natë polare pjesë e vitit në zonat e poleve, gjatë së cilës nata zgjat për rreth një gjysmë viti. Vit polar vit në zonat rreth poleve me gjashtë muaj ditë e gjashtë muaj natë. Agimi (ndriçimi) polar ndriçimi i shtresave të larta të atmosferës nga rrezet e diellit, që vërehet në vendet brenda rrethit polar. Ajër polar. Rrymë polare.

3. Që lidhet me studimin e natyrës së poleve të Tokës dhe të vendeve përreth tyre. Ekspeditë polare. Stacion polar.

4. fiz. Që ka elektricitet edhe pozitiv edhe negativ; magnetik. Bashkime polare.

5. libr. Që ka dy veti ose prirje të kundërta a krejt të ndryshme; që janë krejt të kundërta, skajor. Kundërti polare.