pus
PUS m.
1. Gropë e thellë dhe e ngushtë, me trajtë të rrumbullakët, me faqe të pingultë dhe zakonisht të veshur me gurë etj., që është hapur në tokë për të nxjerrë ujë. Pus i thellë (i cekët). Ujë pusi. Gryka e pusit. Kapaku (çikriku) i pusit. Kova e pusit. Hapën (çelën) një pus. Pastroi pusin. U tha pusi. Nxjerr ujë nga pusi. Lëshoi kovën në pus. Ra (u mbyt) në pus.
2. gjeol. Vrimë e thellë që hapet pingul në tokë dhe që pajiset me gypa e me mjete të tjera të posaçme për të nxjerrë naftë ose gaz. Pus i ndaluar pus që nuk nxjerr më naftë. Pus nafte (gazi). Pus shpimi (kërkimi, prodhimi). Kulla e pusit. Thellësia e pusit. Shpimi (shfrytëzimi) i puseve. Vunë në shfrytëzim pusin e ri.
3. min. Gropë e thellë, që hapet në një minierë dhe që shërben për nxjerrjen dhe mbartjen e qymyrit të gurit, të bakrit etj. me anë vagonësh ose si rrugë kalimi për minatorët etj. Pus i pjerrët. Pus ndihmës (kontrolli, ajrimi). Balli i pusit. Hyri në pus.
4. bised. Gropë e madhe ku mblidhen ujëra për ujitje ose ujëra të tjera të padobishme; vend i thellë në shtratin e një lumi; gropë. Puset e zeza gropat e zeza. Ujin e grumbullonin në puse. Laheshin te puset në Valbonë.
5. përd. mb. Shumë i thellë; shumë i errët, shumë i zi, shumë i nxirë (edhe fig.). Errësirë pus. Nata ishte pus. Qielli ishte pus. U bë pus koha (qielli, nata). Jeta i dukej pus. Ia bëri jetën pus ia nxiu jetën.
6. përd. ndajf. Shumë (zakonisht me mbiemra si i zi, i errët etj.). Re të zeza pus. Nata ishte pus e zezë. Qiell i nxirë pus. Ishte i vrenjtur pus. Vështrimi i qe bërë i errët pus. Ishte errët pus. Është i ditur pus.
- E bëri pus diçka
a) e prishi fare një vegël, e çoi dëm një send të nevojshëm;
b) e prishi, e nxiu (një punë). Ia bëri pus diçka ia përshkroi me ngjyra shumë të errëta, ia bëri zi e me zi. U bë pus dikush u ngrys a u nxi në fytyrë; u nxeh shumë, u inatos shumë. M'u bë pus diçka më vajti ters, nuk më vajti mbarë. Hyri në pus ra në një gjendje shumë të vështirë, u gjend ngushtë. Është pus dikush nuk i nxjerr të fshehtat, nuk ia tregon tjetrit ato që di ose hallet që ka. Pusi të marrtë! mallk. të gjettë e zeza!, të marrtë e liga! Mos e shpjer në pus! mos e lër në harresë, mos e harro! U bë pus pa fund u bë kasaphanë e vërtetë, nuk u muar vesh se sa u vranë, u bë gjaku gjer në gju. S'bëhet pusi me gjilpëra fj.u. shih te GJILPËR/Ë,~A. Iu bë zemra pus u helmua, u pikëllua jashtë mase. E hodhi në fund të pusit diçka nuk e vlerësoi fare, as që e përfilli, nuk e mori fare parasysh. Është pus pa ujë d i k u s h
a) është shumë i varfër, e ka shtëpinë fare bosh;
b) nuk di të bëjë asgjë, nuk është i zoti për asgjë; është pemë pa kokrra. I ka punët pus dikush i ka punët shumë keq, është në pikë të hallit. S'mbushet pusi me pështymë (me gjilpëra) fj. u. shih te PËSHTYM/Ë,~A. Bie shi me grykë pusi (gjymi, shtambe) shih Bie shi me gjyma (me shtamba, me legenë, me kova, me vedra, me ibrikë) te GJYM,~I. Të fut në pus (në ujë, në lumë, në det) e të nxjerr pa u lagur shih te LAGEM. Hyn në pus e del pa u lagur është njeri shumë dinak, di të bëjë dredha dhe t'ua hedhë të tjerëve. Mos hyr në pus me litarin e botës! fj.u. mbështetu në forcat e tua!, mos shpreso shumë në ndihmat e të tjerëve! Pusi (kroi) i mirë njihet në kohë të thatë fj. u. shih te KRUA, KROI. Ta shet ujin e pusit për verë shih te VER/Ë,~A II. Pus artezian shih tek ARTEZIAN,~E.