Pali i Tarsusit
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Pali i Tarsusit (ose Sauli) i emëruar Shën Pavli apostull, lindi rreth vitit 10 dhe vdiq në vitin 67. Mendohet nga shumë të krishterë si dishepulli më i rëndësishëm i Jezusit, dhe sipas shumë të tjerëve është figura më e rëndësishme në zhvillimin e Krishterimit. Sh. Pali përfaqëson shembullin kulmor të besimit për të cilin ai ndërroi krejtësisht jetën e tij, pas ngjarjes së mrekullueshme siç e përshkruan ai vetë, duke iu përkushtuar vetëm përhapjes së ungjillit të Jezu Krishtit, për të cilin ai dha dëshmi gjer në vdekjen e tij dëshmore në Romë.
Ndikimi i Sh. Palit në mendimin e krishterë ka qenë më i rëndësishmi se çdo autor tjetër i Besëlidhjes së Re.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sh. Pali apostull lindi në Tarsus (sot Krahina e Mersinit, Turqi) të Cilicisë midis vitit 5 dhe 15 në një familje çifute të mërgatës. Në ditën e rrethprerjes u pagëzua me emrin "Saul" (për nder të mbretit Saul, të fisit Beniamin) dhe ka mundësi të ketë marrë emrin romak "Paulus" (në shqip "Pal") nga prindërit e tij. Ai u rrit në një mjedis grek por u edukua shumë mirë edhe hebraisht. Mësoi hebraishten nga prindërit dhe greqishten në shkollë. Sipas zakonit vdiq dëshmor në Romë në vitin 67 pas dy vitesh burgimi, por shënimet nuk janë të sakta.
Në rininë e tij Sauli ndoqi në Jeruzalem shkollën e rabinit Gamaliel i Vjetri (një pasardhës i Hilelit) dhe u selit sipas sipas fesë së thellë të zakoneve të rrepta të farisinjve (Vepr 22,3; Fil 3,5-6). Pati detyra të ndryshme në grupin fariseor, deri në atë të votimit në Sinedrin hebraik i cili gjykonte çështje me rëndësi të madhe juridike (Vepr 9,2). U ngarkua me detyrën për të shkuar në Damask dhe të burgoste të krishterët e këtij qyteti. Sauli ishte shumë i zellshëm e i vendosur kundër fesë së Jezusit që po niste të përhapej e të themelohej (Gal 1,14). Ai mori pjesë edhe në gurimin (vrasjen me gurë) të Shën Shtjefnit duke ruajtur teshat e vrasësve, në vitin 38 siç dëshmohet në Veprat e apostujve (8,1 22,22).
Temperamenti i tij ishte i pathyeshëm, i pakompromisshem, i flaktë e i vrullshëm, i gatshëm për të kryer detyrat që i ngarkoheshin, pa ngurrim e pa brerje ndërgjegjeje. Kjo gjë e bëri atë përndjekësin më të tmerrshëm të krishterëve e më pas, pasi përqafoi Krishterimin , përhapës të palodhur të tij, nëpër gjithë pellgun e Detit Mesdhe, mes rreziqesh e mundimesh të çdo lloji (2Kor 11,23-28), e me një zell të papërmbajtur (1Kor 9,19-23). I ndjeshëm e i prekshëm, me një dashuri të thellë, ai i donte besnikët "e tij" dhe bashkësinë "e tij" me zemër të çiltërt e të zjarrtë (1Sel 2,7-12 1Kor 4,15).
Kthimi në Krishtërim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sauli e ndjente si dhunti vetjake të jashtëzakonshme thirrjen dhe detyrën e tij, që e mori gjatë rrugës për në Damask në një vizion (shfaqje) të Jezus Krishtit dhe bisedës me të, gjë që e bëri të ndryshonte mendimin e tij (Vepr 9:1-9 Gal 1,13 1Tim 1,12-13); saqë ai do të shndërrohej në "këndues të hirit", ai që do të lartësoje hirin e shpëtimit të ofruar nga Perëndia në Krishtin tek çdo njeri me dëshirë të mirë (Ef 2,8-10). Pali sidoqoftë shkruan se Jezusi i´u shfaq atij : "Më së fundi m`u shfaq edhe mua, si në dëshmitë" (1 Kor 15:8), dhe shpesh pohon se autoriteti i tij si "Apostull i paganëve" i´u dha drejtpërdrejtë nga Zoti (Gal 1:13-16), dhe 'jo nga njeriu'.
Letrat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Iliria, si një vend ku është predikuar ungjilli i Krishtit, përmendet në Bibël në letrën drejtuar romakëve, të shkruar nga apostulli Pal. Në letrën e Romakëve 15:19-20 lexojmë : "...me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit, duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit".
Ishte pikërisht pozita e favorshme e territoreve shqiptare, që mundësonte kalimin më të shpejtë në Romë, fakti i çmuar që e bëri Palin ta drejtonte udhëtimin e tij përmes Ilirisë. Pa dyshim që qendra e parë ku Pali dhe apostujt e tij u vendosën, ishte Durrësi, ku kemi edhe komunitetin e parë të krishterë në Shqipëri. Më pas qendra të tjera ku u predikua Ungjilli, ishin Shkodra dhe Lezha, edhe këto, qendra të rëndësishme të asaj periudhe. Mendohet që Pali dhe apostujt e tij të kenë qenë në Shqipëri përpara vitit 57 pas Krishtit, vit në të cilin ai shkroi letrën drejtuar Romakëve.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Enciklopedia hebraike mbi Sh. Palin
- Enciklopedia katolike në rrjet
- Enciklopedia britanike
- Misionet e Sh. Palit
- Shkrimet - Prezenca e Palit në Bibël Arkivuar 22 janar 2020 tek Wayback Machine