interes
Appearance
INTERES m.
- 1. Vëmendje e kujdes i veçantë që tregojmë për dikë a për diçka që ka rëndësi ose që na pëlqen, interesim; prirje drejt dikujt a diçkaje që na tërheq, dëshirë për t'u afruar me të, për ta njohur më mirë etj. Interes i veçantë (i përgjithshëm). Interesi i fëmijëve (i nxënësve, i lexuesve). Tregim me interes. Gjë me interes gjë që të tërheq vëmendjen a që meriton vëmendje; gjë me rëndësi. Çështje pa interes çështje që nuk meriton vëmendje e që nuk na tërheq, çështje pa rëndësi. Kam (tregoj) interes për dikë a për diçka. Rritet (shtohet) interesi. Zgjon (ngjall, paraqit) interes. Pres (shoh, lexoj, ndjek) me interes.
- 2. Ajo që është në dobi të dikujt a të diçkaje, ajo që e kërkon e mira e dikujt a e diçkaje; gjë që të sjell përfitim; e mira, dobia. Interesa jetësore. Interesat kombëtare (klasore, të përbashkëta). Interesi shoqëror. Interesat e klasës punëtore e të fshatarësisë. Interesat e atdheut (e shoqërisë). Përfaqësues (shprehës) i interesave të një klase (të një grupi, të një shteti). Ishte në interesin e tij. Kundër interesave të tij. I bashkojnë (i lidhin) interesat. Marr parasysh interesat e dikujt. Prek interesat e dikujt. Vë interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak.
- 3. fin. Pjesa e fitimit që nxirret me një përqindje të caktuar për të hollat që janë vënë në bankë ose që janë dhënë hua, fitim që sigurohet nga një hua a nga një kredi e dhënë; kamatë. Interes i thjeshtë (i përbërë). Interes bankar. Kredi me interes. Hua pa interes. Merr (paguan) interesin.